Tensionet në Kosovë nuk lëkundin Maqedoninë

Tensionet në Kosovë nuk lëkundin Maqedoninë by DiversityMedia

Vetëm pak kilometra larg kryeqytetit të Maqedonisë, po ndodhin zhvillime që mund të kenë ndikim për vendin. Kosova është e përfshirë sërish në tensione me Serbinë dhe mënyra e zgjidhjes së këtyre problemeve mund të reflektojë edhe në Maqeodni.

Por në Maqedoni nuk ka ndonjë vëmendje të madhe për këto zhvillime, të paktën jo evidente. Por pse ndodh kjo?

Në mediet ndërkombëtare zhvillimet rreth Kosovës dhe Serbisë zënë një vend të konsiderueshëm në analizat apo dhe njoftimet e tyre.

Vetëm pak kilometra larg Shkupit, ku janë të vendosura redaksitë e medieve më të rëndësishme në Maqedoni, Kosova përmendet thuajse në mënyrë sporadike dhe pa informim të thellë.

Politikanët shqiptarë herë pas here japin deklarata se zhvillimet në Kosovë mund të kenë impakt edhe në Maqedoni, por duket se gjithçka mbyllet me deklarata zyrtare se gjendja e sigurisë në vend është e qetë.

Situatë e qëndrueshme por me tensione

Por çfarë ndodh në fakt në Kosovë aktualisht dhe çfarë ndikimi mund të kenë këto zhvillime në rajon dhe konkretisht në Maqedoni.

Seladin Xhezairi, është gazetar i të përditshmes së Prishtinës “Koha Ditore” i angazhuar me vite të tëra në mbulimin e ngjarjeve rajonale. Ai thotë se situata në veri të Mitrovicës ku zyrtarët kosovarë tentojnë të ushtrojnë autoritetin edhe përkundër mospajtimit që vjen nga popullsia lokale serbe, duket se është më qetë, por sërish ka tensione.

Sipas tij këto tensione mund të reflektohen në Maqedoni nëse merren vendime dramatike:

“Vendimet eventuale mund të reflektohen në Maqedoni vetëm në rast të vënies në jetë të asaj që ka filluar të përflitet për mundësinë e ndarjes apo për shkëmbim të territoreve dhe popullsisë mes Kosovës dhe Serbisë. Por natyrisht se këto janë ende spekulime”, thotë Xhezairi.  

Bllagoja Markovski i cili është ekspert i çështjeve të sigurisë gjithashtu thotë se zhvillimet në rajon ndikojnë mes vendeve, por ai thotë se tashmë faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë përshkallëzime:

“Duhet të kihet parasysh se gjithçka që ndodh në rajon, për shkak të lidhshmërisë mes popujve mund të derdhet nga një vend në tjetrin, megjithatë tendencat, qëllimet, që i ka komuniteti ndërkombëtar nuk do të lejojnë përshkallëzime të situatës së sigurisë në rajon”, thotë Markovski.

Artan Grubi dikur lider i OJQ-ve tani këshilltar pranë kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, shpesh ka qenë i angazhuar në ngjarje që kanë tentuar të shpjegojnë situatën në Kosovë dhe kontekstin e zhvillimeve në rajon. Ai thotë se ngjarjet e Kosovës në Maqedoni ndiqen me vëmendje nga politika, sidomos ajo shqiptare:

“Situata në Kosovë dhe ajo në Maqedoni janë të ndërlidhura shumë afër dhe kanë varshmëri dhe prandaj politikanët dhe mediet duhet ti japin këtu në Maqedoni më shumë vëmendje dhe ta trajtojnë Kosovën në mënyrën e duhur”, thotë Grubi.

Kryesisht të kthyer nga vetja

Nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë thonë se ndjekin me vëmendje zhvillimet në gjithë rajonin, por një gjë e tillë nuk reflektohet në Media apo dhe në axhendën politike maqedonase. Por pse? E pyeta Ana Petrushevën reaktore e “Balkan Insight”.

“Ne gjithmonë më shumë kemi qenë të kthyer nga vetja, kjo shihet se si mbulohen edhe ngjarjet e rëndësishme botërore ose rajonale. Së fundmi kjo u pa edhe me mbulimin  zgjedhjeve në Kroaci dhe Slloveni të cilat kaluan pa shumë vëmendje. Prandaj dhe zhvillimet në Kosovë mbulohen shumë sipërfaqësisht qoftë edhe ato të integrimit të Serbisë në BE që sërish lidhen me statusin e Kosovës”, thotë Petrusheva.

Që zhvillimet mes vendeve në rajon kanë ndikim vërtetohen me qëndrimet e fundit të shprehura nga BE për Serbinë. Pa zgjidhur tensionet me Kosovën Beogradi nuk do të mund të vazhdojë rrugëtimin drejt Evropës edhe pse biletën e ka në dorë.

Vlerësohet se ndonëse Serbia është e lidhur direkt me çështjen e Kosovës dhe ndikimet për të janë më të mëdha, sërish kur gjeografikisht Prishtina është më afër Shkupit se Beogradit, vendimet që mund të merren për zgjidhjen e situatave atje, mund të sjellin reagime që do të prekin jo vetëm Maqedoninë por edhe gjithë rajonin.

Ekspertët sugjerojnë më shumë vëmendje qoftë edhe larg syve të opinionit. 

AddThis Social Bookmark Button