Saraji, test i parë për Thaçin dhe Osmanin!?

Saraji, test i parë për Thaçin dhe Osmanin by DiversityMedia

Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve për kryetar komune në Saraj pritet të shpallet pas përfundimit të procesit ankimor nga PDSH-së e cila siç tha nuk njeh fitoren e BDI-së.

Por zgjedhjet në një nga komunat që përbëjnë Shkupin sollën garën e parë elektorale pas njoftimeve rreth 10 ditë më parë për bashkimin e opozitës shqiptare mes PDSH dhe RDK-së.

Analizuam se çdo to thoshte ky proces zgjedhor por skenën politike pas pajtimit mes Menduh Thaçit dhe Rufi Osmanit.  

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për kryetarin e komunës së Sarajit, që është njësi që përbën qytetin e Shkupit, u zhvillua pa euforinë e zgjedhjeve të përgjithshme para disa muajsh.

Procesi zgjedhor i pak ditëve më parë i pa përfunduar deri më fund, megjithatë solli përballjen e parë politike në terren mes subjekteve rivale shqiptare.

Gara zgjedhore kishte dhe një risi më shumë. Përballë BDI-së, ishin dy parti PDSH dhe RDK të cilat njoftuan kohë më parë se janë në prag të bashkërendimit të aktivitetit politik. Por sa ishte një test kjo garë zgjedhore për nismat e bashkimit të opozitës?

Sefer Tahiri është analisti dhe profesor universitar:

“Koalicioni PDSH - RDK edhe pse nuk është zyrtar kishte një lloj bashkëpunim në këtë komunë, por vlerësoj se testi më i mirë i këtij koalicioni do jenë zgjedhjet e ardhshme lokale në vitin 2013, sepse zgjedhjet në një komunë, lokale të parakohshme ku qytetarët nuk ishin shumë të motivuar për të votuar nuk mendoj se është një barometër për që tregon fuqinë politike të këtij koalicioni”, thotë Sefer Tahiri

Botuesi i të përditshmes “Koha” Lirim Dullovi megjithatë thotë se ndonëse një proces zgjedhor ku ishte i përfshirë një trup elektoral jo shumë i madh, sërish për partitë politike përballja me elektoratin është testi bazë për forcën e tyre:

“Padyshim se mund të thuhet se ishte një test i vogël sepse që të dyja subjektet garuan përballë BDI-së dhe pësuan një disfatë të thellë. Mendoj se ky është një sinjal më tepër për partnerët e rinj që ti konsolidojnë radhët dhe të dalin me një ofertë konkrete për votuesit shqiptar, sepse vetëm fakti i bashkimit nuk do të thotë asgjë për votuesin shqiptar”, thotë Lirim Dullovi.

Nëse këto zgjedhje ishin në fokus të opinionit shqiptar, për shkak se elektorati ishte kryesisht shqiptar, ai maqedonas nuk i kushtoi një vëmendje të madhe. Por në një kohë kur e gjithë opozita duke përfshirë edhe atë maqedonasen, tenton të bashkohet çfarë do të thoshin këto zgjedhje për gjithë skenën politike në vend?

Gazetari Aleksadar Çomovski thotë se u dërguan mesazhe që vlejnë të shqyrtohen nga të gjithë:

“Pikëpamjet në kampin politik maqedonas ndaj dyshes Thaçi-Osmani shikohen nga këndvështrimi i një diskursi opozitar se vjen koha e rrëzimit të qeverisë së Gruevski, por kjo jo mbi bazën e rrethanave normale ose vlerësimeve politike, por mbi instruksione që Uashingtoni mund ti ketë dhënë, që Ali Ahmeti (BDI) të dalë nga qeveria. Një gjë e tillë vlerësohet se mund të sjelle një koalicion të madh ndër shqiptar dhe i cili si treshe do futej në qeverinë e ardhshme. Kjo duket jo e natyrshme dhe artificiale dhe prandaj mendoj se bashkëpunimi mes Thaçit dhe Osmanit nuk dukej i afërt nga aspekti ideologjik, por më shumë një bashkim interesi”, thotë Çomovski.

Cili është interesi i përbashkët?

Ideja për bashkëpunimin mes PDSH-së dhe RDK-së u njoftua vetëm pak më shumë se një javë më parë. Ky është një argument i pa kontestueshëm dhe prandaj për të parë bashkimin real të opozitës shqiptare do të duhet kohe, por gjithashtu dhe qartësim të politikave të tyre, thonë edhe Tahiri dhe Dullovi:

“Konstatoj se koalicioni PDSH–RDK nuk ka ofertë të qartë programore, sepse RDK kërkon një shtet të barabartë mes popullit shqiptar dhe maqedonas, kurse PDSH kërkon marrëveshje e re politike që parasheh dy shtylla kryesore, formimin e parlamentit dydhomësh dhe ndarjen e barabartë të buxhetit për shqiptarët. Vlerësoj se RDK do të duhet të dale publikisht të tregojë nëse e pranon marrëveshjen politike të PDSH-së ose kërkon ndryshim të saj ku do të kishte shkrirje të dy programeve politike”, thotë Tahiri.

“Duhet të dalin me ofertë konkrete serioze dhe të bindin qytetarët se janë në gjendje ta realizojnë. Për shembull ideja për një marrëveshje të re me palën maqedonase tingëllon shumë bukur por duhet ti shpjegojnë mekanizmat se si mund të arrihet ajo marrëveshje kur kemi parasysh mospëlqimin nga ana e partive maqedonase që tani, qoftë nga partia në pushtet VMRO DPMNE qoftë nga ajo opozitare LSDM”, thotë Dullovi. 

Procesi zgjedhor për komunën e Sarajit, i cili u zhvillua pas kalimit të Blerim Bexhetit si kryetar i saj në postin e Ministrit të Drejtësisë, ende s’ka përfunduar plotësisht. PDSH akuzoi për manipulime. Pavarësisht kësaj, vëzhguesit thonë se elektorati i kësaj komuna dha përshtypjet e para për bashkëpunimin PDSH – RDK. Megjithatë sfida kryesore do të mbetet viti 2013, kur do të zhvillohen zgjedhjet lokale në gjithë territorin e vendit.

AddThis Social Bookmark Button