Pikat informale të tregtimit të hekurit në rritje, njerëzit në pusetë

Pikat informale të tregtimit të hekurit në rritje, njerëzit në pusetë by DiversityMedia

Blerja e hekurave të përdorur dhe mbetje të tjera inerte po bëhen biznes fitimprurës në Maqedoni, për çka shteti duket se nuk po vë dot rend. Vlerësohet se veç rreth 150 blerësve legal, në vend veprojnë dy herë më shumë vende informale ku çohet hekuri i vjedhur. Qytetarët që kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të vjedhjes së transformatorëve ose pasi kanë rënë në puseta reagojnë për mungesën e veprimit të organeve. Por sa realisht institucionet po dështojnë?

 

21 vjeçari Pane Peev nga qyteti i Shtipit, pas festës në një kafene ku punonte, ishte nisur të hedhe plehrat por përfundoi në pusetë e thellë pesë metra. Kërkonte ndihmë por në dy ora të mëngjesit skishte kush ta dëgjojë. Pas dhjetë minutash një koleg i tij kishte dalë ta kërkojë dhe e kish dëgjuar.

“Erdhi ndihma e shpejtë dhe zjarrfikësi, por para se të mbërrijnë ato pronari i lokalit zbriti në pustë dhe e ndihmoi të dilte. I dhimbte gjithçka, nuk merret dot fryme, nuk lëvizte dot. E çuan në spital ku pas analizave e mbajtën”, tregon shoku i viktimës.

Peev ra në pusetën e kanalizimit kapaku i të cilës me sa duket ka përfunduar në vendet informale ku tregtohet hekur i përdorur dhe ku blihet për 10 deri ne 12 denarë për kilogram. Ai që e ka marrë atë kapak ka marrë rreth 100 denarë, ose me pak se dy euro, por dëmin që ka shkaktuar ishte më i madh.

Djali i lënduar tani mund të padisë ndërmarrjen publike që menaxhon me rrjetin e kanalizimit ashtu siç ka bërë një qytetar tjetër i cili nga gjykata ka marrë vendim për dëmshpërblim  prej rreth 450.000 denarësh.  

Drejtori i ndërmarrjes “Shtip projekt” Toni Jovev thotë se 15 punonjësit e tij nuk arrin të bëjnë roje për rreth 1000 puseta në qytet. Jovev përmbledh dëmet nga kapakët e pustetave:

“Vitin e kaluar kishim dëm prej 800.000 denarësh, duke përfshirë edhe vendimin e gjykatës që është shumë, nëse merret parasysh se me ato para mund të bëhen ndërtime të tjera në qytet”, sqaron Jovev. 

Kapakët e rëndë të pusetave bëjnë pjesë në gjësendet e ndaluara për blerje nga ana e blerësve informal por sërish ato vidhen. Në grupin e gjësendeve të ndaluara hynë edhe shinat, kabllot prej bakri të telefonit, përmendoret që sipas vlerësimeve të gjitha përfundojnë të blerësit informal.
Verën e kaluar rreth 100 shtëpi në rrethin e Shtipit ishin pa energji elektrike pas vjedhjes së bakrit nga një transformator. Një kilogram bakër blihet për 300 denarë, kurse një kilogram mesin 160 denarë. 

Vendet informale – problem për ato legalet

Për të verifikuar ekzistencën e vendeve informale të tregtimit shkuam në një lagje të Shtipit e banuar me romë, ku siç dëgjuam kishte tre pika të tilla. Në këtë lagje një pikë tregtimi të ligjshëm të hekurit ka familja Demirov. Në hapësirën e rregullt dhe të betonuar dominonte plastika. Një makinë e zhurmshme e thyen dhe bën thërrime plastikën e cila më pas dërgohet në qendra më të mëdha blerjeje. Omer Demirov thotë se pikat informale të tregtimit edhe për të janë problem:

“Punojnë në rrugë, punojnë lirshëm asnjë nuk bën gjë. Ata thonë se punojnë me këtë ose atë, flitet për parti të caktuara. Partitë ti lëmë anash, biznesi është biznes, por duke respektuar ligjet”, thotë Demirov.

Bashkëshortja e tij Enise Demirova njofton se në mbledhjet e Grupimit të atyre që mbledhin inerte sekondare pranë Dhomës ekonomike të Maqedonisë, ku ata bëjnë pjesë, blerësit informal të metaleve janë temë kryesore.

“Duhet aksion i organizuar nga policia dhe inspekcionet. Ata e dinë janë të informuar, kanë ardhur dhe vetë kanë parë se ka pika joformale. Por sërish funksionojnë. Si dhe në ç’mënyrë ne se dimë”, thotë ajo.  

Në mes të rrugës e cila të çon nga lagjja në qendër të qytetit pamë një tabelë para një shtëpie në të cilën dikush kishte shkruar se blinte hekur të përdorur. Oborri ishte përplot hekur dhe shishe plastike. Një person më i moshuar sa vuri re mikrofonin kërkoi të largohemi. Fqinjët që i ndeshëm tek një dyqan aty pranë nuk deshën të falsin por u ankuan se iu bllokohet rruga kur vijnë kamionë që të ngarkojnë hekurin. Ata thanë se veç kësaj ka edhe dy pika të tjera informale të mbledhjes së hekurit.

Të gjithë i shohin, asnjë nuk vendos sanksione

Ajo që të habit është se disa inspekcione kanë detyrë mbikëqyrjen e punës së pikave të mbledhjes së hekurit të përdorur, e megjithatë pikat informale vazhdojnë të punojnë. Veç inspektoriatit teknik përgjegjës janë edhe ato të tregut, të punës, financave dhe sigurisht ekologjike. Drejtori i kësaj të fundit Firus Memet thotë se ligji iu ka dhënë përgjegjësi por edhe kufizime:

“Për fat të keq ligji nuk lejon të futemi në shtëpi dhe oborre private. Në një rast të tillë na duhet vendim gjyqësor dhe hapa të tjerë. Nga të dhënat tona, konkretisht në Shtip ka raste të tilla, blerës të vegjël të cilët i kryejnë aktivitetet në oborret e tyre. Policia duhet të hyjë, të bëjë kontroll dhe ti konfiskojë”, thotë Memet.

Policia ndërkohë vetëm shënon vjedhjet e gjësendeve prej hekuri, bakri ose metale të tjera. Jo shumë kohë më parë vjedhja e kabllos prej bakri që rregullonte hekurudhat thuajse paralizoi transportin në pjesën lindore të Maqedonisë.

“Janë shtuar vjedhjet. Ato kryhen në territorin e gjithë Maqedonisë. Është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Ministrinë e Ekonomisë si dhe një kontroll i vazhdueshëm ndaj pikave të mbledhjes së hekurit”, thotë Snezhana Saneva, zëdhënëse e policisë së Shtipit. 

Përkundër padive të shpeshta për vjedhje të gjësendeve për ripërpunim, në gjykata vetëm një e dhjeta e rasteve të tilla kanë të bëjnë me vjedhjen e hekurit. Gjykatësi Stojan Mihov thotë se problemi më i madh është gjetja e fakteve, veç atëherë kur personat kapen në vend të ngjarjes.  

“Kryesit e këtyre veprimeve shpesh janë të organizuar, marrin njëri-tjetrin në telefon celular ose lajmërojnë nëse vjen policia. Kjo ndikon që këtë vjedhje të mos zbulohen edhe pse pasojat janë të mëdha. Vjedhja e një kapaku puseti mund të shkaktojë aksident me pasoja fatale”, vlerëson Mihov.

Inspektoriati ekologjik kërkon të ndryshojë ligji me çka inspektorët do të lejoheshin të mbyllin pikat e tregtimit ose të vendosin gjoba në vend të ngjarjes, të cilën gjë tani e përcakton vetëm gjyqi. Tregtarët legalë të hekurit të përdorur ndërkohë kanë frikë se ata mund të vihen në shënjestër dhe jo edhe ata informalët,  të cilët aktualisht ngarkojnë përplot kamionë që shkojnë për në Shqipëri ose Greqi.

Projekti hulumtues është mbështetur nga asociacioni danez për gazetari hulumtuese dhe projekti SCOOP

AddThis Social Bookmark Button