A jetojnë qytetarët dhe politikanët në të njëjtën Maqedoni?

A jetojnë qytetarët dhe politikanët në të njëjtën Maqedoni? by DiversityMedia

Në Maqedoni në të kaluarën janë ndërruar garniturat politike, liderët partiakë dhe funksionarët e lartë, por realiteti shpesh i ka përgënjeshtruar paralajmërimet e optimiste për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror. Edhe ë vitin 2011 duhej të kishte përparime në përmirësimin e infrastrukturës, investimet e huaja, zvogëlimin e papunësisë, anëtarësimin në NATO...

Reformat më të mëdha ose në krye të vuajtjes?

A është Maqedonia një nga destinacionet më të kërkuara turistike të evropianëve apo është në krye të shteteve sipas indeksit të vuajtjes? A është në krye të vendeve reformatore apo sipas numri të të papunëve? Këtë informacione që vinë nga kërkime të ndryshme janë më pak hutuese se sa kur një politikan do të paralajmërojë jetë më të mirë vitin që vjen, kurse për qytetarin e thjeshtë në realitet gjithçka mbetet e njëjtë. Duke marrë parasysh shembullin e ngrohjes qendrore në Shkup, gjendja është edhe më e keqe. Pas shtrenjtimit të dyfishtë, kompania kishte bërë barazimin e borxheve dhe prandaj disa klientë në dhjetor kishin marrë fatura edhe 50 për qind më të larta.

“Fatura e dhjetorit është më e lartë se e nëntorit”

“Dyfish më e lartë se e muajit të kaluar”

“Ne u shkëputëm nga rrjeti i ngrohjes qendrore sepse çmimet janë të larta dhe nuk shohim efekt nga pagesat e larta që bëhen edhe gjatë verës ndërkohë nuk marrim ngrohjen e duhur”, thonë disa qytetarë.

Kjo gjë nuk ishte në parashikimet e qeverisë vitin që shkoi dhe nuk përputhet lehtë me inflacionin e projektuar prej 3 për qind, i cila në fund të vitit sipas Entit Shtetëror të Statistikës ishte thuajse katër për qind.

Rritja ekonomike paralajmërohej me investimet e huaja të cilat sipas rregullit sjellin edhe vende të reja pune. Në programin e saj ekonomik qeveria projektonte 300-400 milion euro investime. Në periudhën e verës Ministri i Financave Zoran Stavrevski deklaroi se deri në fund të vitit në vend do të hynë investime “të rënda” 300 milion euro. Në pjesën e dytë të viti ndërkohe u shënua rënie investimeve. Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë deri në shtator në vend është investuar 182 milion euro. Ndër ta edhe fabrika e dytë e “Johnson Controls” në zonën industriale në Shtip.  

“Kur ndonjë kompani vendos të investojë për herë të dytë në një vend kjo do të thotë se është e kënaqur me investimin e parë. Kjo fabrikë veç faktit se do të hapë vende të reja pune do të thotë se do të përmirësohet edhe gjendja e qytetarëve në këtë rajon ku do të vendoset”  tha gjatë ceremonisë së fillimit të investimit Kryeministri Nikolla Gruevski.  

Por dështimi në gjashtë muajt e fundit të vitit 2011 kryeministri e shpjegoi me efektet e krizës nga borxhet në Evropë. Në këtë periudhë, Serbia për shembull, e cila konsiderohet lider në rajon ka tërhequr mbi një miliardë euro kapital të huaj. 

Në gjueti për investime, vjet Maqedonia vazhdoi që të promovohet si reformatore në procedurat administrative. Qeveria në vazhdimësi angazhohej për reforma në administratën publike e cila kritikohet rëndë si nga kompanitë e vendit ashtu edhe të huajat.

Gjatë vitit 2011 u promovua standardi ISO për cilësi. Në disa sportele u vendosën aparate me të cilat qytetarët vlerësonin se sa shërbyes ishin punonjësit e administratës. Ministri i këtij dikasteri Ivo Ivanovski para kamerave u bënte anketë qytetarëve se sa ishin të kënaqur nga shërbimet. 

Baçev – Administrata në një hipokrizi të paparë

Edhe pse e kritikuar si e stër madhe, administrata vazhdoi të rritet.


Sipas të dhënave nga organizata joqeveritare Qendra Maqedonase për Edukim Evropian nga 89 institucione shtetërore dhe 136 organe, nga janari i vitit 2010 deri në mars të vitit të kaluar çdo muaj janë punësuar nga 140 persona – të gjithë me punësim të përkohshëm.  


Por numri i përgjithshëm i administratës mbeti enigmë. Ministria për Informatikë dhe Administratë tha se këtë të dhënë do ta publikoje vjet, por regjistri i punonjësve në administratë me sa duket do të jetë gati në pranverë. Administrata publike ndërkohë nuk iu shmang imazhit të një zone të partizuar.  

Partneri në koalicionin qeverisës Janko Baçev, lider i Lëvizjes Demokratike Popullore menjëherë pas miratimit të strategjisë për reformën e administratës shprehu kritika:

 “Edhe më tej mbetet e paprekur pjesa e ligjit për administratën shtetërore, e cila u lejon ministrave dhe drejtorëve të bëjnë punësime subjektive. Kjo është një hipokrizi e pa parë. Themi se duam një administratë evropiane, ndërkohë funksionarët nuk kanë detyrim ti punësojnë kandidatët më profesionist dhe më kompetent”, thotë Baçev

Shtrëngimi i rripit të administratës është një nga detyrimet nga axhenda evropiane e Maqedonisë. Liderët shtetëror prisnin dhe morën nga Komisioni evropian, verifikimin për rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim me BE-në.
Pushtetarët në Shkup këtë e vlerësuan si një vërtetim për sukseset me reformat. Por pas kritikave që shprehu komisionari për zgjerimin Stefan Fule për lirinë e shprehjes, atmosfera e mirë u shndërrua në revoltë.  

“Strategjia e mbi theksimit të disa vërejtjeve sa i përket gjyqësisë dhe administratës publike për të ashtuquajturin problem me lirinë e shprehjes, kjo në kohën kur tre vjet po ndërmarrin reforma thelbësore, nuk do të ndihmojë në arritje e presionit për të zgjidhur çështjen e emrit”

Kaluan zgjedhjet, do të vinë “bono” për inovacione dhe mensa popullore

Pas optimizmit dhe fushatës me letra dërguar liderëve evropian për mbështetje për integrimet evropiane të Maqedonisë, kryeministri Gruevski në intervistën e tij të fundit paralajmëroi mundësinë që Maqedonia këtë vit të humbasë edhe rekomandimin për fillimin e negociatave për hyrje në BE. Këtë ai e shpjegoi me mungesën e interesit të shteteve anëtare për zgjerimin e BE-së, sepse sipas tij, ato janë të ngarkuara me problemet e tyre.


Edhe projekti “Shkupi 2014”, i pasur me elemente antike, u vu në kontekst të problemit me Greqinë për emrin nga  Brukseli. Ky projekt vjet u zhvillua me dinamikën e parashikuar. Revista e internetit me ndikim  EU Observer shkruante: “Vendosja e planifikuar e përmendores së Aleksandrit të Maqedonisë në qendër të Shkupit do të vështirësojë zgjidhjen e problemit të emrit me Greqinë. Në vitin 2011 nuk do të arrihet zgjidhje”.


Edhe pse pa plan opinioni në Maqedoni vjet u ndesh me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Gjashtë muaj më parë Gruevski tha se do të ndeshej në shesh me rivalin e tij Branko Cërvenkosvki në vitin 2011.  

“Ne nga VMRO kemi interes që ky njeri të jetë kundërshtari ynë politik”, thoshte kryeministri.

Ndodhën zgjedhjet dhe u plotësua edhe ajo që priste Gruevski, Cërvenkovski të drejtojë LSDM-në në zgjedhje dhe të dalë si humbës.

Në programin e qeverisë për 2012 nuk parashikohen zgjedhje por ka një seri projektesh realizimi i të cilave do të vlerësohen për një vit. Nëse mbahen pretimet, këtë muaj pensionistet që kanë pension nën mesataren do të duhet të kenë shërbime shëndetësore falas. Duhet të hiqen doganat për mjetet e sporteve si ski, ping-pong, tenis. Ose kompanitë do të mund të marrin bono prej 5 mijë eurosh për inovacione. Këtë vit ndër të tjera duhet të fillojë me ndërtim sistemi kombëtar i furnizimit me gaz, bujqit të marrin 130 milion euro subvencione, të hapen tre mensa të reja popullore, projekte të cilat mbase do të provokojnë “Economist”-in e Londrës që vitin tjetër ta heqë Maqedoninë nga piedestali i indeksit të vuajtjes.   

AddThis Social Bookmark Button