Manipulim – të kontrollosh dikë ose diçka në avantazhin tënd, shpesh në mënyrë të padrejtë ose të pandershme.
“Të kontrollosh dikë ose diçka në avantazhin tënd, shpesh në mënyrë të padrejtë ose të pandershme.” Ky është definicioni për fjalën “manipulim”. Në aspektin psikologjik ky term trajtohet si proces i shfrytëzimit të një personi për përfitimin të personit tjetër. Sa u takon marrëdhënieve publike, përfshirë median si mjet për të përçuar mesazhin, çështja është më e kuplikuar, rezultatet me pasoja më masive, përgjegjësia më e madhe…
Mediat kanë për detyrë informimin, edukimin dhe argëtimin e masës. Në rastin e informimit, ekzistojnë dispozita ligjore dhe rregullativa për të definuar kornizat e veprimtarisë së mediave. Ata përshkruajnë kushtet që duhet të plotësojë një informacion për të qenë profesional, objektiv, i besueshëm, me interes publik, etj. Në Maqedoni, shembull, është Kodi etik i gazetarëve i cili në mënyrë të qartë dhe precize përshkruan se si duhet të duket një informacion i destinuar për publikun. “Duke ndjekur rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe të shoqërisë qytetare, gazetarët do t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë, do ta respektojnë pluralizmin e ideve dhe qëndrimeve, do të kontribuojnë në forcimin e shtetit juridik dhe në kontrollin e pushtetit dhe subjekteve tjera të jetës publike.” Kjo është një pjesë hyrë e Kodit etik, neni i parë i të cilit parashikon:
“Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur.”
Në rast se këto dispozita cënohen dhe nuk respektohen, media duhet të mbajë përgjegjësi përpara publikur, përpara instancave të caktuara që mbikqyrin punën e mediave në vend dhe në fund, ndoshta edhe përpara organeve të drejtësisë.
Përfaqësuesit ndërkombëtar në vend, disa herë kanë dhënë “leksione” se si mediat duhet të funksionojnë, se si gazetarët duhet tа ushtrojnë profesionin e tyre, me qëllim që të shmanget manipulimi i masës.
Mariet Shurman, ish ambasadore e Holandës në Shkup (06.03.2013)
“Politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në politikën redaktuese të medieve qoftë me anë të presionit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Mungesa e autonomisë gazetareske dhe e diversitetit rezulton me krijimin e paragjykimeve ndaj procesit zgjedhor”.
Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së në Shkup (17.05.2017)
“Vetëm etika dhe integriteti i inkorporuar në hapa praktik mund të na ndihmojnë të mbrohemi dhe përsëri t’i arrijmë vlerat demokratike kur janë nën kërcënim. Roli i mediave, që konsiderohet të jenë këshilltarë i popullit,është esencial në këtë kuptim.”
Nina Suomalainen, ish kryesuese e misionit të OSBE-së në Shkup (17.05.2017)
“Vetë-rregullimi i mediave mund të jetë zgjidhje, duke pasur parasysh se ndihmon të rritet gazetaria etike e orientuar kah e vërteta.”
Shoqëritë me demokraci të zhvilluar i kanë tejkaluar disa sfida në të cilat Maqedonia ndodhet tani, për censurën dhe presionet e jashtme por sfida të reja janë përsëri në horizont. Megjithatë respektimi i parimeve bazë nga ana e gazetarit dhe mediave, kryerja në mënyrë profesionale e misionit të dhënë dhe edukimi mediatik i masës, janë armët më të fuqishme kundër manipulimit publik.
Të menduarit kritik për qytetarët me aftësi mediatike – KriThink, projekti implementohet nga Fondacioni Metamorfozis në partneritet me EUTOTHINK – Qendra për strategji Evropiane

