Shkruajnë: Dajana Llazarevska dhe Rita Behadini
Të jetuarit në një shoqëri ku diskriminimi dhe stereotipat janë përditshmëri, aktivizmi i shoqatave joqeveritare bëhet udhëheqës i luftës për barazi. Një prej tyre është edhe Koalicioni Margini, fillimisht e formuar në vitin 2007 si platformë joformale e më shumë organizatave. Aktiviteti i parë më i madh ishte mbrojtja e të drejtave të punëtoreve seksuale të përfshira në aksionin e MPB në vitin 2008 – “Çrrënjosja e prostitucionit rrugor”. Sot, mes qëllimeve kryesore ka avancimin e shëndetit dhe mirëqenies së bashkësive të margjinalizuara, si dhe të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Për sfidat shoqërore dhe gjendjen aktuale, biseduam me drejtoreshën ekzekutive të Margini-t, Irena Cvetkoviq, aktiviste e vjetër dhe doktor në fushën e studimeve gjinore.
-Një pjesë e madhe e aktiviteteve të Margini-t u dedikohet të rinjve. Sipas përvojës tuaj nga puna në terren, cilët problem mes të rinjve do ti veçonit si dominues?
“Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të Koalicioni kanë të bëjnë me të rinjtë, edhe pse të gjitha grupmoshat janë në fokusin tonë. Programi për arsim i Koalicionit më së shumti është e orientuar për të rinjtë, ndërsa në të njëjtin merremi edhe me parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna e bazuar në gjini dhe bulizmin nëpër shkolla.
Sipas hulumtimeve më të reja, format e ndryshme të maltretimit mes nxënësve, por edhe mes nxënësve dhe mësimdhënësve është në rritje. Pak, ose aspak, i kushtohet rëndësi dhunës me bazë gjinore për shkak të pragut të lartë të tolerancës ndaj dhunës në përgjithësi, si dhe për shkak të normave tradicionale dhe pritjeve, që maskojnë me sukses këtë lloj të dhunës, që bëhet reagim i pranueshëm i sjelljeve gjinore jo komformuese. Nuk mbahet shumë llogari se një praktikë e këtillë e çrregullon atmosferën e mësimit dhe zhvillimit, dhe hap dyert për diskriminimin gjinor dhe pjesëmarrjen e pabarabartë të mashkullit dhe femrës në shoqëri, ndërsa për personat LGBT nuk mbetet asgjë tjetër përpos margjinalizimit dhe (vetë)izolimit, si forma të vetme të (vetë)mbrojtjes.
Në adoleshencë, të rinjtë gjithnjë e më shumë interesohen për trupin e tyre që ndryshon shpejt, për raportet (fizike dhe emocionale) që i ndërtojnë me bashkëmoshatarët e tyre, për pamjen e tyre, qëndrimin, imazhin për veten dhe për të tjerët. Mos/pranimi i rolit gjinor, preferencave seksuale, gjegjësisht orientimeve seksuale ndikojnë mbi ndërtimin e imazhit për veten, por edhe mbi statusin social të fëmijës, mes moshatarëve dhe rrethit më të gjerë. Për këtë arsye përpjekjet tona janë të orientuara drejt ndërtimit të mjedisit të sigurt shkollor, në të cilin rritja dhe zhvillimi personal nxiten, në vend që të ndalohen”.
-Në një pjesë të studimit HBSCM “Sjelljet e lidhura me shëndetin e fëmijëve të moshës shkollore 11-15 vjeçare”, flitet edhe për shëndetin seksual dhe identitetin gjinor te të rinjtë LGBTIQ+. Të dhënat të cilat flasin se 36% të popullatës LGBTIQ+ mashkullore dhe 16% të asaj femërore ka qëllime serioze për vetëvrasje janë alarmante. Ku e adresoni arsyen për këto të dhëna?
“Përqindja i referohet të menduarit serioz për vetëvrasje, jo për qëllim, por gjithsesi edhe kjo është një informatë alarmante. Arsyeja mbase qëndron në të gjitha gjetjet e mëparshme të paraqitura në studim që tregojnë se të rinjtë LGBTI i nënshtrohen dhunës verbale, psikologjike dhe madje edhe fizike, formave të përjashtimit social, ndërsa mbështetja e bashkëmoshatarëve dhe familjes është e ulët.
Të gjitha këto të dhëna janë përvoja jetësore të dikujt. Ato janë një alarm që kërkon interesin e menjëhershëm dhe fokusimin e aktorëve relevantë dhe ndërmarrjen e masave konkrete të cilat, në një afat të mesëm dhe të gjatë, do të rezultojnë në krijim të një mjedisi shkollor më të sigurt dhe më të barabartë. Në thelb të imazhit negativ që na e ka dhënë ky hulumtim janë pikërisht modelet e miratuara tradicionale të të shprehurit dhe sjelljeve seksuale.
Arsimi në Maqedoni duhet të fillojë të reformohet në mënyrë thelbësore, jo përmes projekteve të padobishme. Hapi i parë është përfshirja e edukimit gjithëpërfshirës seksual në shkolla. Përforcimi i shërbimeve profesionale, hapja e frontit kundër stereotipave dhe paragjykimeve dhe ndryshimi i përmbajtjeve diskriminuese të teksteve shkollore duhet të jenë pikënisjet tona. Nuk duhet ta injorojmë komponentin edukativ të procesit arsimor për arsye se edhe ata të rinj që do të mbeten në vend do ti shndërrojmë në zombi. Pikërisht atëherë s’do të ekzistojmë si njerëz, si shoqëri, si shtet.
-Në çfarë niveli duhet filluar veprimin për ta zgjidhur problemin? A keni bashkëpunim dhe a keni mbështetje institucionale për zgjidhjen e problemeve të të rinjve me seksualitetin dhe identitetin gjinor?
Sipas meje, niveli i vetëm efektiv i zgjidhjes së këtyre problemeve është ai institucional, gjegjësisht sistematik. Bashkëpunimi me institucionet është përmirësuar viteve të fundit, e posaçërisht me Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Me angazhimin tonë të fuqishëm, kemi arritur të inkuadrojmë ndryshime në Ligjin e ri për arsimin fillor, që garantojnë barazi dhe mbrojtje nga diskriminimi dhe dhuna. Bazuar në këto amendamente, së bashku me institucionet relevante, Koalicioni ndihmon në procesin e përpilimit të një akti nënligjor – Rregullore për procedurën e paraqitjes dhe mbrojtjes së një nxënësi-viktimë e çfarëdo forme të dhunës, abuzimit dhe neglizhencës në shkollat fillore në RMV. Gjithashtu, Koalicioni është pjesë e grupit punues për rishikimin e teksteve shkollore të fushës së barazisë gjinore dhe mos-diskriminimit. Siç vërehet, hapat fillestarë janë orientuar drejt sigurimit të legjislatives. Megjithatë, implementimi i këtyre ligjeve dhe politikave është kyç nëse me të vërtetë dëshirojmë ta zgjidhim problemin”.
-Rezultatet tregojnë se diku 70% e djemve dhe 13% e vajzave të anketuara të moshës 15 vjeç janë përgjigjur se janë seksualisht aktiv. Pse ende nuk ka edukim seksual në shkolla?
Fatmirësisht, ka filluar procedura për pilotimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual, e cila shpresoj se së shpejti do të fillojë edhe të zbatohet. Besoj se në një afat të shkurtër, këto pilot shkolla do të dëshmojnë se sa i rëndësishëm është që ky lloj edukimi të jetë i disponueshëm për të rinjtë”.
– Një nga lajmet e fundit në publik ishte grupi i rrjetit social Telegram – Dhoma Publike. A keni informacion mbi ekzistencën e grupeve të tjera të këtij lloji në rrjetet sociale?
“Grupe të këtilla dhe të ngjashme ekzistojnë, por ndoshta jo me përmasë të tillë sikur Dhoma Publike. Hulumtimet tregojnë se të rinjtë (edhe djemtë edhe vajzat) provojnë dhe përjetojnë emocione pozitive në proceset e shkëmbimit të përmbajtjeve seksuale me partnerët/et e tyre intim/e. Megjithatë, kur bëhet fjalë për shkëmbim sekondar të këtij lloji të përmbajtjeve që është jo konsensuale, domethënë kur përmbajtja me një konotacion seksual pa dije ose pëlqim i dërgohet një pale të tretë, atëherë përgjigja emocionale është tërësisht e ndryshme. Kështu, kur në komunikim intim shpërndahet ky lloj i përmbajtjeve, të rinjtë thuan se ndiejnë emocione pozitive, deklarojnë se fitojnë ndjenjë gjallërie, aktiviteti dhe rritje të vetëbesimit, dhe te këto emocione nuk ka dallime në bazë të gjinisë (d.m.th. djemtë dhe vajzat thuajse në mënyrë të barabartë deklarojnë emocione pozitive). Por, kur këto përmbajtje fillojnë të shpërndahen me persona të tretë, atëherë përgjigja emocionale është krejt e ndryshme dhe përfshinë ndjenja depresioni dhe/ose agresiviteti, dhe dallon sipas gjinisë. Me fjalë të tjera, kur keqpërdoren përmbajtjet intime, përgjigja emocionale e djemve dhe vajzave është e ndryshme, me atë që vajzat seriozisht kanë më shumë gjasa të përjetojnë emocione dhe pasoja negative për shëndetin mendor në krahasim me djemtë. Edhe hulumtimet, por edhe përvojat në sistemet më të zhvilluara tregojnë se zgjidhja nuk qëndron te ndalimi i komunikimit online mes të rinjve, promovimit të abstinencës nga ky lloj i sjelljes apo te kontrollet e rrepta”.
-Nga informatat e deritanishme për rastin Dhoma publike, ka disa paraqitje të rastit në MPB nga viktimat. Cila është arsyeja e gjykimit të një pjese të konsiderueshme të shoqërisë ndaj viktimave?
“Frika, turpi dhe mosbesimi në institucione. Ne duhet të tregojmë një rast të suksesshëm të fitores së drejtësisë për viktimat e këtij lloji të dhunës dhe krimit, për të inkurajuar të tjerët”.
-Cilat janë projektet dhe aktivitetet e ardhshme të Koalicionit Margini? Dhe si mund individët të përfshihen në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve shoqërore?
“Koalicioni vazhdon të punojë në promovimin sistematik dhe mbrojtjen e të drejtave të bashkësive të margjinalizuara, ndërsa jemi të hapur për interesin dhe investimin e çdokujt në luftën tonë të përbashkët për një shoqëri më të drejtë”.
Овој текст е продукт од проектот “Young Journalists’ Network” имплементиран од Демокраси Лаб. Овој проект е поддржан од Амбасадата на САД. Мислењата, откритијата и заклучоците или препораките изнесени овде се на имплементаторите/ авторите, и не ги одразуваат оние на Владата на САД.
This article is a product of the project “Young Journalists’ Network” implemented by Democracy Lab. This project was funded through a U.S. Embassy grant. The opinions, findings, and conclusions or recommendations expressed herein are those of the implementers/authors and do not necessarily reflect those of the U.S. Government.
Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.