Ka punë, por jeton në mjerim

Maqedonia i ka të gjitha parakushtet që punëtorët të bëjnë një jetë të mirë, por realiteti është krejt ndryshe. Sindikatat nuk arrijnë t’i imponohen qeverisë, dialogu social është formal, nuk zbatohen masat ndëshkuese në rastet kur ka shkelje të të drejtave të punëtorëve. Kjo u theksua në debatin e fundit në radio të organizuar nga Diversity Media në të cilin u diskutua dilema nëse të drejtat e punëtorëve janë edhe të drejta të njeriut.

Përgatiti Dushko Arsovski

Përderisa pjesa tjetër e botës proteston, në Maqedoni, për vite me radhë klasa punëtore po ruan imazhin e një klase të qetë e të etur për zgarë, paketime me vezë, e ndonjëherë edhe për mish derri. Në ditën ndërkombëtare për një punë dinjitoze, sindikatat më të mëdha zgjodhën të fotografohen me ministrat përkatës në vend që të organizonin tubim në të cilin zëshëm do flitej për problemet. Ato janë të shumtë.

Profesori univerzitar Zdravko Saveski sqaron:

„Punëdhënësi mendon se mjafton që punonjësit të tij t’i ofrojë punë dhe asgjë më shumë se aq, thjesht ta robërojë atë në vendin e tij të punës dhe kjo konsiderohet si diçka e zakontë sepse edhe vetë sytë me të cilët e shikojmë realitetin janë të tillë. Thjesht mendohet se me vetë punësimin ti ke bërë diçka shumë të madhe në jetë.

Tamara Çaushidis nga sindikati i pavarur i gazetarëve dhe punonjësve në medie fajin e sheh tek ndryshimi i mentalitetit të përgjithshëm në shoqëri.

„Ne, në një farë mënyre, nga ai  kuazi socializëm në të cilin ndodheshim, u gjetëm në neoliberalizëm, ndërsa mbetën me mentalitetin e feudalizmit. Dhe mendoj se ky është problemi kryesor.“

Në një situatë të këtillë ka shumë absurde. Për shembull, fakti që nëse ke gjetur punë në Maqedoni nuk do të thotë se i ke thënë lamtumirë varfërisë.

„Enti shtetëror i statistikës vjet doli me të dhëna se 10% e personave të punësuar jetojnë nën kufirin e varfërisë. Tani parashtrohet pyetja se si mund të jetë i varfër një njeri që punon. Ai është i varfër sepse mundi i tij nuk paguhet aq sa duhet dhe ai nuk respektohet në vendin e tij të punës.“

Nga Konfederata e punëdhënësve nuk pajtohen se të drejtat e punëtorëve shkilen deri në atë masë. Sevdalinka Eftimova problemin e sheh diku tjetër.

„Në Maqedoni problemi është se dialogu social nuk është zhvilluar në një nivel të lartë ose ndoshta është ndonjë formë e re e punës. Nuk mund të zhvillohet sepse nga të gjitha anët ka mungesë komunikimi. Ndoshta mungon ose interakcioni, ose përvoja, ose mbase problemi qëndron aty se ende jemi një shtet demokratik i ri dhe për disa gjëra duhet kohë për të arritur deri tek rezultatet e dëshiruara.“

Çaushidis është autokritike. Sindikatet, thotë ajo, e kuptojnë që institucionet duhet ta kontrollojnë gjendjen në terren vetëm formalisht, e kështu nuk shkohet para. 

„Mbase ne si sindikata e lëshojmë mundësinë tu themi punëdhënësve se është në interesin e tyre të kenë një sindikatë,sepse askush nuk ëshë më i interesuar për mbarëvajten e punës në një kompani si sindikata.“

Nga ana tjetër, organizimi sindikalist në sektorin privat pothuajse nuk ekziston fare. Pse? Eftimova është e prerë.

Ajo që mungon është vetëdijshmëria tek punëdhënësit, dhe kjo është fakt. Në një ekonomi ku 98% e ndërmarrjeve janë ndërmarrje të vogla ose të mesme nuk mund të presim që te të gjitha ato të ketë sindikata, megjithatë ajo që mund të bëhet është të caktohet përfaqësues i punëtorëve i cili do bëjë bisedime të drejtpërdrejta, do negociojë dhe do informohet nga punëdhënësit, ose ajo që tashmë ekziston si praktikë evropiane që është ligji për këshillat e punëtorëve i cili tek ne ende mungon.“

Bashkëbiseduesit tanë pajtohen se marrëdhëniet e punës janë të rregulluara, ekziston politikë ndëshkuese, por në zbatim ka mangësi. Tamara Çaushidis.

„Realisht, inspektorati i punës nuk vepron në funkcionin e mbrojtjes të asaj që është shkruar në Ligjin për marrëdhënie pune. Ne bëjmë fjalë për një punë dinjitoze. Puna dinjitoze nënkupton respektimin e Ligjit.“

Sindikata e pavarur mediatike ka regjistruar dy raste të shkeljes flagrante të të drejtave.

„Punëdhënësi ndan pagat, e pastaj me kartelat bankare të punonëtorëve të tij shkon te bankomatët, i nxjerr ato dhe merr një pjesë nga paga. Në rastin tjetër, përsëri punonëtorëve u ndahen pagat, pastaj me ato para paguhen ato që nuk janë zyrtarisht të punësuar, si për shembull, me honorare. Bëhet fjalë për medie.

Konfederata e punëdhënësve nuk e mohon këtë gjë.

„Ne nga komunikimet që kemi me sindikatat dhe me njerëzit, organizatat qytetare, kemi njohuri se kjo që po thoni është e saktë dhe se ka punëdhënës të cilët në njëfarë mënyre i paguajnë pagat vetëm formalisht dhe pastaj kërkojnë tu kthehen paratë të cilat ua kanë dhënë punëtorëve dhe ky është një problem i të gjithëve e me të cilin duhet të përballemi“ thotë Sevdalinka Eftimova.

Me Ligjin për paga minimale që u miratua vitin që shkoi, Maqedonia u bë vendi i fundit nga Ballkani që e rregulloi këtë çështje. Minimumi është 8050 denarë, por është interesante që inspektorët e punës nuk kanë gjetur as edhe një shkelje. Për Saveskin kjo gjë hap dilema.

„Kjo do të thotë që ose të gjithë punëdhënësit e kanë respektuar Ligjin për pagë minimale ose dispozitat ndëshkuese janë problematike dhe e pengojnë zbatimin e Ligjit. Maqedonia nuk njihet si vend në të cilin të gjithë, nën komandë, e respektojnë ligjin.“

Rregullimi me ligj nuk do të thotë se të drejtat e punëtorëve përmirësohen. Përkundrazi, thotë Saveski, nuk ka vit që nga pavarësimi e të mos ketë zvogëlim të të drejtave të punëtorëve. Ai thotë se këtë gjë e bën kjo qeveri konzervative, por edhe  LSDM-ja e cila ideologjikisht duhet të kujdeset për punëtorët.

„Zvogëlimi më i madh i të drejtave të punëtorëve është bërë me dispozitat për grevë, të cilat janë tejet të rrepta dhe të pamundura për tu plotësuar deri në atë pikë sa që e pamundësojnë grevën e organizuar ligjërisht, e që janë miratuar në kohën e LSDM-së.“

Gjatë viteve të kaluara në Maqedoni është evidentuar edhe një e dhënë tjetër e tmerrshme. Në çdo tetë ditë vdes nga një punëtor. Njohësit komentojnë se shkak për këtë është mbingarkimi i një punëtori me shumë detyra pune, turnet e dyfishta e kështu me radhë, që paraqesin prova të tjera se sindikalistët kanë për çfarë të luftojnë, në vend që veprimin e tyre ta kufizojnë në ndarjen e pakove me ushqim edhe në kokteje jubilare, traditë kjo e trashëguar nga kohë të shkuara.