Lubomir Fërçkovski, profesor në fakultetin juridik sygjeron ndryshimin e sistemit politik në Maqedoni. Ai thotë se modeli zvicerian i cili është i bazuar në konsesus, me një qeveri që përbëhet nga koalicione të gjëra dhe pa opozitë parlamentare është më i përshtatshëm për Maqedoninë. Por, çfarë nënkupton ky model zvicerian dhe sa realisht mund të pranohet një nismë e tillë?
Në emisioni “Shqip” në Top-Channel, Profesori në fakultetin Juridik në Shkup, Lubomir Fërçkovski shpalosi idenë për një sistem të ri politik në Maqedoni.
Ai sygjeron një sistem të ngjashëm sipas modelit zvicerian, në të cilin thuajse nuk ka opozitë dhe ku gjithë partitë janë pjesë e qeverisë.
E pyetëm të sqarojë më në detaje propozimin dhe pse mendon se Maqedonisë i duhet një ndryshim i sistemit politik:
“Pluralizmi partiak mbetet, por ndryshohet struktura e krijimit të qeverisë. Sepse ky është momenti kyç që e shkatërron sistemin dhe shkakton ndarjen, që sipas meje është e pabazë në këtë kontekst shoqëror.
Qeveria do të krijohej gjithmonë nga një koalicion i gjerë, dy parti shqiptare dhe dy maqedonase, sipas një zgjidhjeje që do të mvaret nga rezultatet zgjedhore. Maqedonia do të duhet të jetë një njësi zgjedhore dhe sipas rezultateve partitë do të merrnin vende në kabinetin qeveritar sipas proporcionit të rezultateve.
Partitë me më shumë referencë do të ishin pjesë e qeverisë.
Kjo do të jetë e pështatshme për ne për disa arsye. E para, partitë që i quajmë “parti sulltane” dhe që ndërmarrin klonizimin e shoqërisë nuk do të kishin bazë në një sistem të tillë politik. Ata do humbisnin fuqinë, nuk do të kishin nevojë për organizim sulltanor, as brenda dhe as jashtë. Do të ishin të detyruara që të bëjnë kompromise, të cilat tani nuk janë të detyruar t’i bëjnë”, sqaron profesor Fërçkovski i cili thotë se një sistem i tillë do të ishte gjithëpërfshirës, do të ulte tensionet si ndërpartiake ashtu dhe ndëretnike dhe në fakt rolin kritik e merr opinioni dhe mediet:
“Rolin e opozitës, e cila de fakto do të anullohej në parlament, do ta merrte opinioni. Opinioni do të ishte një opozitë e vërtetë, mediat dhe ne që diskutojmë në opinion.”
Çfarë nënkupton modeli zvicerian?
Por, si funksionon demokracia zviceriane dhe sa në fakt është i mundur një sistem i tillë në Maqedoni? Bashkim Iseni është politolog dhe drejtues i portalit albinfo në Zvicër:
“Parimet themelore të sistemit zvicerian janë: është një sistem federal, me dy dhoma, vendime me konsensus. Instancat lokale, kantonet, komunat gëzojnë një autonomi të gjerë në vendimmarrje, përpos në fushat që janë të rezervuara për instancat federale. Veçoria e sistemit politik zvicerian është demokracia direkte, ku populli dhe shoqëria civile marrin rolin e opozitës. Ajo që është e veçantë për eksekutivin në Zvicrës është formula magjike, ku bëhet përfaqësimi sipas fuqisë të forcave politike në vend dhe vendimet merren në mënyrë konsensuale, dmth bashkarisht”, thotë Bashkim Iseni
Ashu si dhe Profesor Fërçkovski edhe Iseni thotë se realisht një sistem i tillë sjell ulje tensionesh, por ka edhe mangësitë e tij:
“Ana më negative është se për vendimet duhet shumë kohë, është i ngadalshëm por është i shëndoshë”, thotë Bashkim Iseni.
Maqedonia është një demokraci rreth 20 vjeçare, me Marrëveshjen e Ohrit ajo bëri një ndryshim në kushtetutë para 10 vjetësh dhe disi në sistemin politik të tanishëm ka si normë, pavarësisht se si zbatohet, vendimmarrjen konsensuale.
Por, në këtë kontekst kur ndyshimi para 10 vjetësh ende ka vështirësi të zbatohet dhe te pranohet plotësisht, sa do të pranohej ideja për ndryshim të sistemit politik.
Tanja Karakamisheva është juriste dhe eksperte e sistemeve politike:
“Republika e Maqedonisë ka kapacitete që të pranojë ide të caktuara, por sa është e gatshme të ndryshojë gjithë sistemin duhet parë në një kohë më afatgjate. Ndryshimi i sistemit politik është një çështje serioze dhe nuk i duhet lënë eksperimentimit”, thotë Karakamisheva.
Krizë thelbësore!
Edhe vetë nismëtari i idesë për ndryshimin e sistemit shprehet skeptik se mendimet e tij mund të pranohen lehtë, megjithatë ai thotë se alternativa kërkohen kur ka kriza të mëdha dhe Maqedonia, sipas tij, po hyn në një të tillë:
“Kjo strukturë nuk do të zhvillohet nga diskutimet, sa do që ato të jenë frytdhënëse, por siç ndodh në praktikën politike, si këtu edhe jashtë, ndyshime të tilla ndodhin pas krizave thelbësore. Maqedonia është drejt një krize të tillë thelbësore në rrugën që ka marrë”, thotë Profesori Fërçkovski.
Edhe Bashkim Iseni, politolog dhe pedagog që jeton në Zvicër thotë se edhe pse është mirë që ato diskutohen ide të reja, vështirë se klasa politike në Maqedoni të jetë e gatshme të diskutojë propozime të tilla:
“Më vjen shumë mirë që z. Fërçkovski ka evoluar, se më kujtohen qëndrimet e tij ndaj kërkesave të komunitetit jo shumicë dhe shpresoj se është një angazhim i sinqertë i tij, mirëpo duke e njohur kulturën politike në Maqedoni nuk besoj se futja e një sistemi të tillë do të arrihet për një kohë të shkurtër, mirëpo është shumë pozitive kur kërkohet zgjidhje”, thotë Bashkim Iseni
Një nga arsyet se pse profesori Lubomir Fërçkovski e bën këtë propozim është ndarja e madhe në shoqëri që krijon sistemi aktual politik, ku partitë përfshihen në një rreth hakmarrjesh ndaj njëra tjetrës sa herë që vijnë në pushtet.
Vëzhgues të ndryshëm pranojnë konstatimet se shoqëria, sidomos ajo maqedonase, aktualisht është thellësisht e ndarë.