Gjatë muajve të fundit, e sidomos gjatë karantinës, stresi, frika dhe depresioni u bënë pjesë edhe më shumë e jetës sonë. Secili nga ne karantinën e perjëtoi ndryshe, rëndë dhe me frikë.
Pandemia dhe karantina ndikoi si në shëndetin tonë fizik, po shumë edhe në atë mendor.
Na ndryshoi rutinën tonë e ndikoi në çdo sferë.
Nga fillimi i pandemisë me virusin korona në grupin e rrezikuar ishin pikërisht mjekët. Ata çdo ditë kishin kontaktet e para me të infektuarit nga virusi korona dhe kjo me të vërtetë ishte një sfidë. Sfidë ishte edhe për ata mjeket e rinj, ku për ata ishte një sfidë ndryshe.
Për mjekun Besnik Hamiti, eksperienca me virusin korona është një eksperiencë e re, ndryshe dhe sfiduese.
“Periudha e karantinës, ishte një eksperiencë e re për mjekët, e sidomos për mjekët e rinj. E tërë atmosfera e psikologjisë së masës pati ndikim edhe tek mjekët, posaçërisht në shëndetin mendor. Por, falë eksperiencës së mjekëve më me eksperiencë, kishim kontroll më të mirë të gjendjes.” theksoi Besnik Hamiti, mjek.
Hamiti, si leksion më të rëndësishëm që ai ka marrë nga pandemia dhe karantimi, i veçon aktivitetet relaksuese, ai thotë se “Me rëndësi, në kohë karantine, është gjetja e mënyrave të ndryshme për të pëmbushur kohën me aktivtitete relaksuese, qoftë ato lexim apo aktivitet fizik, në mënyrë që preokupimi i trurit të jetë me aktivitete relaksuese para atyre stretuese.”
Nefise Shaban, psikologe, thotë që “Njerëzit shumë më lehtë stresohen, kur diçka e panjohur është prezente në jetën tonë.”
“Gjatë karantinës gjithçka ishte e panjohur, e çuditshme dhe e frikshme. Nuk e dinim kur do të rikthehemi në normalitet, kur do të rihapeshin kufinjtë ose kur do të riktheheshim në punë ose në shkollë. Gjatë jetës sonë të përditshme kemi ngecur shumë në rutinën tonë, prandaj kjo ndjenje e te panjohurës automatikisht mbjell stres në jetën tonë.” theksoi Nefise Shaban, psikologe.
Shaban e thekson rëndësinë e metodave të menaxhimit të stresit. E sidomos kur gjatë pandemisë çdo gjë u ngatërrua, ku ajo thotë se “Të gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm për dallimin midis metodave te menaxhimit të shëndetshëm dhe atij të joshëndetshëm. Ku shumë njerëz i përdorën metodat e menaxhimit të joshëndetshëm, si përshembull konsumimi i tepërt I duhanit ose alkoolit.
Kurse, për një shëndet mendor stabil, Shaban, rekomandon ushtrimë të frymëmarrjes, më shumë sport, komunikim shoqëror dhe sidomos, të qenurit produktiv e rekomandon si diçka të domosdoshme. Nëse përsëri do të ishim ne karantinë Shaban tha që “Do ta keshilloja veten të veproj sipas orarit, sepse ndjej që kam humbur shumë kohë të lirë, në vend që ta kisha shfrytëzuar për diçka produktive.
Pandemia ka lënë gjurmë kudo, në çdo sferë, duke mos e lënë anësh edhe sportin.
“Përsëri stërvitesha, por me një intenzitet më të ulët, me shpresë që do të kemi ndonjë garë sepse me të vërtetë më mungonte shumë ajo adrenalina, energjia që të japin garat.” tha Drita Islami, atlete, një prej të inervistuarave.
Islami, një nga atletet më të suksesshme në Maqedoninë e Veriut thotë që situate gjatë pandemisë dhe karantinës ka qenë mjaft stresuese, përshkak se asgjë nuk ishe e qartë se cka do të ndodhte ditën e nesërme.
“Jam stërvitur gjatë karantinës rregullisht gjatë gjithë kohës dhe çuditërisht kam qenë shumë më e disciplinuar dhe e rregullt gjatë karantinës dhe orës policore, se sa kur u lehtësuan disa masa (p.sh. stërvitje në grup, përgatitje në qytete tjera të vendit). Të jem e sinqertë unë prej se kam filluar të merrem me sport kam qenë në një lloj “karantine”, sepse sportistët janë gjithmonë te izoluar nga të tjerët. Në përgatitje qendrojmë 2-3 javë në një dhomë vetëm, gjatë gjithë kohës jemi në regjim dhe disi e kisha shumë te lehtë në fillim, por pastaj vazhdoi shumë gjatë situata dhe filloi të ndikon shumë psiqikisht. Kur filluan të vinin lajmet se anulohen garat, nuk më vinte mirë sepse mendoja që të gjitha pergatitjet dhe mundi më shkuan huq. Edhe pse u demotivova shumë, por stërvitjet nuk i lija anësh. Kam qenë shumë e stresuar sepse asgjë nuk ishte e qartë, sidomos situata për garat se a do të prolongohen apo a do të anulohen për këtë vit. E unë jam stërvitur gjithë kohës duke pritur se kur do të caktohet një datë tjetër, por jo me të njëjtin motivim sepse ekzistonte mundësia që mos të mbahen fare. Ka ndikuar dukshem pandemia në suksesin tim por, shpresoj që në të ardhmen të permirësohet situata sa i përket kushteve për stërvitje sepse stadiumet qendrojnë të mbyllura që nga fillimi i pandemisë dhe e veshtirësojnë shumë përgatitjen fizike për sezonin e ardhshëm i cili shpresoj te jetë normal.” tha Drita Islami, atlete.
Jo vetëm gjatë pandemisë dhe karantinës, sipas Islamit, por edhe gjatë përditshmërisë së saj sporti është metoda më efektive për eliminimin e stresit. Islami theksoi se “Sporti është e vetmja metodë që kam përdorur gjithmonë për të larguar energjinë negative. Vrapimi më ndihmon shumë dhe më qetëson, ku nuk mundem ta imagjinoj ditën pa ndonjë aktivitet fizik. Një ditë pa sport sipas meje është një ditë e humbur. Përveç sportit shumë shpesh kam praktikuar edhe leximin, studimin, pasi që provimet e fundit para diplomimit kanë qenë pikërisht gjatë periudhës së karantinës.”
Karantina që kaloi, na mësoi shumë gjëra, ndër ato më kryesoret edhe atë se secili individualisht të përballet dhe të tejkalojë stresin e krijuar në ato situata. Por, edhe një gjë tjetër shumë të rëndësishme, karantinimi i rradhës do të na gjejë më të përgatitur se ai i pari.
Arta Qerimi