Në Katar pa kandar

Biznesi me Katarin mbeti vetëm paralajmërim. Projektet e Maqedonisë nuk do të prezantohen në Doha në 4 dhjetor siç u paralajmërua gjatë vizitës së Emirit Al Tani në Shkup.

Delegacioni i Maqedonisë, edhe përkundër paralajmërimeve gjatë vizitës së Emirit të Katarit, nuk do të udhëtojë në Doha në fillim dhjetor për të prezantuar projekte që mendohet se kanë interes për investitorët atje. A do të thotë kjo se është vazhdimësi e praktikës për firmosje marrëveshje ndër shtetërore pa efekt?

Përfaqësues të biznesit thonë se punojnë fuqishëm, por ekspertët shprehin skepticizëm se Maqedonia mund të përballojë projekte të mëdha.

Gjatë vizitës dy ditore në Maqedoninë të Emirit të Katarit, mediet ishin të mbushura me kronika të tilla optimiste të cilat njoftonin për investime milionëshe nga Katari. Hapi i parë ishte ngritja e një kuadri ligjor ndërshtetëror kurse hapi i dytë dhe më i rëndësishme – krijimi i Këshillit të Bashkëpunimit Ekonomik. U ra dakord që një delegacion nga Maqedonia të udhëtojë në Doha në fillim të dhjetorit për të paraqitur projekte konkrete, por siç duket një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Nga ministria e Ekonomisë thonë se nuk janë të përfshirë në këtë projekt.

Biznesmenët dhe dhomat ekonomike me të cilat kontaktoi Diversity Media na thanë se ata nuk janë të njohur me një gjë të tillë. Të njëjtën gjë na tha dhe Zëvendës Kryeministri për Çështjet Ekonomike Vladimir Peshevski i cili duhet të koordinojë bashkëpunimin.

Koordinim në terren

Përfaqësuesi i Këshillit Ekonomik mes dy vendeve nga ana e Maqedonisë është Lidhja e  Dhomave Tregtare. Drejtori Ekzekutiv Mitko Aleksov shpjegon se procesi ka ngecur dhe se rezultatet do të ketë pas disa muajsh.

“Ambasadori në terren do të duhet të bëjë kontaktet fillestare me partnerët potenciale dhe pastaj ne nga me përfaqësues të dhomave tregtare mund të vizitonim Katarin”, thotë Aleksov.

Por Aleksov shpjegon se ende nuk flet dot për projekte konkrete.

Edhe pse zyrtarët nga Katari u interesuan për burimet e ujit të pijshëm, disa prodhues me të cilët folëm na thanë se nuk kanë marrë ofertë konkrete edhe pse ata mendojnë për një gjë të tillë. Por ka edhe shembuj të tjerë. Prodhuesi i materialeve ndërtimore “Renova” tashmë punon me vende të botës arabe dhe eksporton mallra në Arabinë Saudite dhe në Oman.

Pronari i kësaj fabrike Shefki Idrizi thotë se është i gatshëm që të ofrojë produkte edhe ne Katar, për çka ka edhe plan konkret:

“Më afër për të eksportuar mallra është nga fabrika në Tiranë. Pra do të punonin fabrika në Shqipëri dhe në Maqedoni. Nëse do të ketë nevojë për një sasi të madhe prodhimesh ne mund të ndërtonim fabrikë edhe në vend tjetër për të prodhuar edhe direkt atje”, thotë Idrizi.

Për veç në sektorin e ndërtimit, Emiri Hamid Bin Kalifa Al Tani tregoi interes edhe për investime në turizëm, bujqësi, rafineri ballkanike nafte. Por fjalë të ngjashme ka dëgjuar edhe ish ministrja e Jashtme Ilinka Mitreva kur ishte në misionin e parë diplomatik në Katar në vitin 2006. Atëherë mikpritësi bëri ftesë për kompanitë e Maqedonisë por çështja mbeti aty.

Analisti ekonomik Zoran Vitanov thotë se tani kushtet janë të tjera:

“Kjo më duket më konkrete sepse erdhën persona konkret, nuk mbeti çështja vetëm në nivelin ndërshtetëror. Ajo që është e rëndësishme gjithashtu është se sistemi politik në Katar është i ndryshëm, ku gjërat nuk ndikohen nga ndryshimet në qeveri. Shpresoj se kjo mundësi nuk do anashkalohet nëse vjen deri tek ndryshimi i qeverisë”, thotë Vitanov.

A ka logjistikë të mjaftueshme për Katarin?

Nëse realizohen planet e Katarit. qytetarët e Maqedonisë do të mund të ndjejnë efektet për dy vjet, parashikon Zoran Vitanov. Disa nga mediet në Maqedoni njoftuan se Katari planifikon të investojë gjysmë miliard dollarë. Një pjesë e tyre do të shkonin për investime kapitale shtetërore, një pjesë investime direkte nga kompani të Katarit.

Por Vitanov shpreh dyshime se Maqedonia ka kapacitete për një sipërmarrje kaq të madhe:

“Mendoj se ne jemi shumë të ngadaltë dhe se ende funksionojmë në labirinte. Çdo lloj projekti me përmasa kaq të mëdha ne nuk mund ta përballojmë nga aspakëti logjistik. Kjo është një lloj sikur ti vini një kompjuteri të vjetër pentum 2 ose 1 softuerin më të ri, sistemi i të cilit nuk mbështet dot softuer të tillë. Është e pamundur”, thotë Vitanov.

Por në Lidhjen e Dhomave Tregtare nuk pajtohen me këto vlerësime. Ata përmendin vlerësimet pozitive që merr Maqedonia vitet e fundit, si ai së fundmi nga Banka Botërore.

Sërish Mitko Aleksov: 

“Përparësi më të madhe kemi pikërisht në këto pjesë, në marrjen e lejeve për ndërtim, për fillimin e ndërtimeve, për fillimin e bizneseve, prandaj mendoj se nuk do të dështonim nëse do të kishte investime serioze nga Katari, edhe sikur të ishin në degë të tjera si nafta ose tregtia”, thotë Aleksov.

Këto kontakte të nivelit më të lartë do të thonë hapje e Maqedonisë ndaj botës arabe dhe mundësi për të bërë atë që deri më tani nuk e ka bërë asnjë nga vendet e rajonit.

Katari në vitin 2010 kishte prodhimin më të lartë të brendshëm bruto për frymë prej 88 mijë dollarë dhe ekonominë me rritje më të shpejtë prej pothuajse 20 për qind. 

Në vitin 2022 do të jetë organizatori i Kupës së  Botës  në futboll për çka do të investojë 150 miliardë dollarë. 

Shkëmbimi tregtar me Maqedoninë është i parëndësishëm rreth një milion dollarë. Ajo që duket se tani e është eksportit më i mirë nga Maqedonia është fuqia punëtore . 

Ministria e Jashtme nuk ka shifra zyrtare se sa shtetas të Maqedonisë janë në Katar. Flitet se disa qindra punojnë  në industrinë e shërbimeve ndërkohë që rekrutohen edhe të tjerë. Fitojnë 500 deri në 1500 $ në muaj. Marrëveshja ndërqeveritare e nënshkruar muajin e kaluar  hapi dyert e Katarit edhe për punëtorët të profileve të tjera. Agjencitë tashmë janë duke kërkuar mjekë, inxhinierë dhe personel tjetër me kualifikime të larta.