Presheva – sprovë e re sigurie në rajon

A po vihen marrëdhëniet mesh shqiptarëve dhe serbëve sërish në sprovë?
Pas heqjes së përmendores së UÇPMB-së në Preshevë nga ana e autoriteteve serbe, reagimi i shqiptarëve ka qenë i fuqishëm në gjithë Ballkanin. Nga ana tjetër zyrtarët serbë thonë se gjithçka ka qenë brenda ligjit.

Nazim Rashidi analizon

Tension i rritur mes shqiptarëve në gjithë rajonin dhe Serbisë është epilogu i veprimit të autoriteteve të Beogradit për heqjen e përmendores të UÇPMB-së në Preshevë.

Protesta në Preshevë, por raportohet edhe dhunim i objekteve që konsiderohen si serbe ose kanë lidhje me të kaluarën e Serbisë në Kosovë.

Argumenti i autoriteteve në Beograd se gjithçka është brenda ligjit nuk tejkalon zemërimin por mbi të gjitha edhe ndjesinë se popullata shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është e lirë.

Një qytetar i kësaj zone për mediet do të deklaronte:

“Neve Liria na mungon, as asfalti as ndërtimet asgjë, deri sa nuk kemi liri ne s’kemi asgjë”

Si ai po aq të zemëruar edhe ndaj politikës shqiptare të rajonit janë edhe qytetarë të tjerë, të cilët protestuan të hënën në Preshevë.

Vetëm marrëdhënie shqiptaro-serbe, apo më shumë?

Duket se marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve sërish po vihen në sprovë.

Analisti Sefer Tahiri thotë se kriza e fundit ka dy dimensione, atë mes dy fqinjëve por edhe brenda shqiptare.

“Politika shqiptare u gjet në një pozicion mat. Ishte një reagim shumë i zbehtë i kësaj politike, me deklarata mediatike dhe deklarata patriotike ndërsa nuk ndërmorën asgjë konkrete për të parandaluar këtë ngjarje.
Dimensioni tjetër është i raporteve të ardhshme midis shqiptarëve dhe Serbisë të cilat do të jenë të tensionuara dhe të vështira ku ne popujt e Ballkanit do të vazhdojmë të mbesim peng i historisë”, thotë Tahiri.

Politikanët shqiptarë nga i gjithë rajon qoftë në qeveri ose opozitë akuzojnë Serbinë se ende vepron me mentalitetin e së kaluarës. Ata thonë se Beogradi ende nuk arrin që të ndërtojë vizione të përbashkëta për të ardhmen, ose më keq, ende të pranojë të paktën ekzistimin e më shumë realiteteve në Ballkan.

Por cilat janë reagimet nga Beogradi? Snezhana Llupevska është gazetare që raporton për mediet serbe, dhe ndjek zhvillimet e sigurisë në rajon, ajo thotë se mediet e Beogradit përpiqen të jenë më të balancuara dhe opinioni po kupton se bëhet fjalë për provokime:

“Mendoj se po ndryshon vetëdija e intelektualëve në Beograd të cilët dinë të vlerësojnë se ç’është provokim dhe çfarë është krijimi i tensioneve. Analizat sugjerojnë se a po ndodh kjo në prag të negociatave dhe a ka dikush që nuk do negociata dhe të përfundojë dialogu shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit”, thotë Llupevska.

Vigjilent ndaj situatës

Në Maqedoni reagimet kanë qenë kryesisht nga subjektet shqiptare. Nga pala maqedonase u përcoll deklarata e Stojançe Angellov, lideri i partisë “Dinjiteti” i cili kërkoi masa ta ngjashme nga Kryeministri i Maqedonisë për përmendoret siç tha ai “ilegale të UÇK-së” në Maqedoni.

Por sa janë të mundshme kriza sigurie pas këtyre zhvillimeve që do të përfshinin rajonin?

Edhe Sefer Tahiri edhe Snezhana Lupevska bëjnë thirrje për vigjilencë në Maqedoni.

“Në të ardhmen mendoj se këto reflektime të situatave në Presheve apo në Kosovë do të mund të kenë pasoja edhe ndaj sigurisë në Maqedoni. Nuk mendoj se do të shfaqet konflikt i hapur por konsideroj se do të ketë incidente të njëpasnjëshme”

“Mendoj se situatat dhe analizat duhet të bëhen me më shumë vëmendje sepse rezultati i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit do të ndikojë në gjithë rajonin dhe jo vetëm në atë zonë”, thotë Llupevska.

Mediet shqiptare në rajon janë me përplot debate televizive ose artikuj rreth situatës. Priten me vëmendje zhvillimet në ditët në vijim si dhe takimet e paralajmëruara mes Presidentes Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikoliç. Atmosfera dhe retorika ndërkohë të kujton kohë të së kaluarës për të cilën shumë menduan se nuk do të përsëriten.