Në një kohë kur sundojnë korporatat botërore, e drejta për privaci në vendin e punës bëhet e diskutueshme dhe shoqërohet nga një numër shkeljesh. Sipas njohësve, në Maqedoni kjo që zbatohet edhe më vështirë, sidomos kur mbikëqyrja me kamera po bëhet një “lojë” interesante, ndërsa mbikëqyrja e komunikimit tashmë po kalon në voajerizëm. Cilat janë shkeljet më të shpeshta të të drejtave dhe detyrave në punë?
Analizë e Vesna Kollovska
Në një kompani në Shkup, pronarët ua kanë ndaluar punonjësve që të përdorin telefonat e tyre celular privat. Ndërsa për shfrytëzimin sa më efikas të orarit të punës, ata madje u blejnë edhe ushqimin. Shpesh ka ndodhur që mëngjesi tu sillet pasdite, kështu që ushqimin e kanë zëvendësuar tabletat multivitamine. Mbi të gjitha, në zyrë ka qenë e vendosur edhe një kamera për mbikëqyrje video, e cila pronarëve u ka mundësuar që në çdo kohë të mund të mbikëqyrin efikasitetin në punë të punonjësve të tyre. Këtë e tregon një nga punonjëset më të reja, e cila në kushte të tilla “pune” ka duruar plot pesë muaj, e pastaj ka kaluar në një kompani tjetër.
Sipas Elena Stojanovska nga Enti shtetëror për mbrojtjen e të dhënave personale, pronarët e tillë kanë bërë shkelje të ligjit sepse me anë të mbikëqyrjes video kanë matur efikasitetin e punonjësve.
“Është fakt se sistemet për mbikëqyrje video sot mund të sigurohen lehtë dhe po bëhen një mënyrë ekonomike e mbikëqyrjes. Megjithatë, Ligji parasheh qëllime të përcaktuara saktë për kryerjen e mbikëqyrjes: për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punonjësve, për mbrojtjen e pronës të kompanisë apo institucionit, ose për kontrollimin e hyrjeve edhe daljeve në mjediset e punës“, thotë Stojanovska, sipas të cilës kompanitë dhe institucionet duhet të përcaktojnë rregulla të brendshme të sjelljes përmes të cilave do i informojnë punonjësit për atë që kontrollohet dhe atë që lejohet të bëhet.
Në një nga bankat maqedonase me kapital të huaj deklaruan se punonjësit nënshkruajnë marrëveshje korporative në të cilën, përveç të drejtave dhe detyrave sipas Ligjit për marrëdhënie pune, janë përcaktuar saktë edhe rregullat e brendshme. Rregullat e papërcaktuara shpesh iniciojnë denoncime pranë Komisionit, si për shembull rasti i një punonjësi në një kompani në Maqedoni, të cilit i është kontrolluar korrespodenca, e të cilit nuk i është thënë se nuk lejohet përdorimi i Skajpit.
Nuk ka punë sepse nuk ka karakter në Fejsbuk
Në një rast tjetër, është paraqitur dilema për komunikimin përmes postës elektronike, që gjithashtu, sipas Stojanovska, është çështje për të cilën mendimet janë të ndara.
„Është e vërtetë se adresa elektronike është pronë e kompanisë ose e institucionit, megjithatë, nëse ajo e përmban emrin edhe mbiemrin, gjë që ndodh shumë shpesh, kjo pjesërisht konsiderohet se përmban të dhëna personale. Por, pastaj pason edhe detyrimi i vetë kompanisë ose institucionit për të përcaktuar rregulla, praktikisht t’i informojë punonjësit se kompania, për qëllimet e saj, do bëjë kontrolle në intervale kohore të caktuara“.
Sistemet bashkëkohore të komunikimit janë mjet të cilin punëdhënësit e shfrytëzojnë gjithnjë e më shpesh. Punonjësit, për shkak të disa përmbajtjeve të caktuara private të cilat i postojnë në internet, mund të shpallen edhe si shkaktarë të prishjes së imazhit të kompanisë.
Interneti është një mjet të cilin kompania e shfrytëzon për të kontrolluar punonjësit e saj, por edhe për të gjetur punonjës të përshtatshëm. Kontrollohen profilet në rrjetet profesionale si LinkedIn, si vend ku mund të gjenden të dhëna për jetën profesionale të punonjësit profesional. Ose profilet në Fejsbuk, si pasqyrë e karakterit të punonjësit. Sipas një hulumtimi, një në tre punëdhënës ka refuzuar kandidatin për punë për shkak të diçkaje që ka zbuluar për të në internet.
Komunikologu Sead Xhigal thotë se ky fakt duhet të ndezë alarmin për atë që postojmë në internet dhe në rrjetet shoqërore.
„Në këtë kuptim, agjencitë e marketingut janë një lloj ndërmjetësi të cilët gjithashtu tentojnë të mbledhin të dhëna për palët e interesuara. Dhe kjo, në vendet perëndimore dhe në disa vende më të zhvilluara se ne, ka kaluar në nivel të biznesit“.
Sipas Xhigal në Maqedoni mungon arsimimi mediatik dhe vetëdijshmëria për fuqinë e veprimit në internet. Kështu që, kjo mbase është arsyeja se përse punëdhënësit rrallë herë përfundojnë në gjyq për shkak të shkeljes së privacisë. Shumë më të shpeshta janë shkeljet sa i përket marrëdhënieve të punës.
Vitet kalojnë…të drejtat zvogëlohen
Avokatja Natalija Milenkovska ka më shumë lëndë gjyqësore për raste të shkeljes të të drejtës për pushim vjetor, të lejeve të lejuara me ligj ose procedura për pushimin nga puna, se sa për rrezikimin e privacisë përmes internetit.
„Shumë shpesh bëhet fjalë për vendosjen e dokumenteve blanko për të marrë nënshkrimin, që më pas të përpilohet një dokument për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Ose, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për marrëdhënie pune, nëse bëhet fjalë për një punësim për afat të pacaktuar, punonjësi detyrohet të nënshkruajë edhe një marrëveshje për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Mirëpo, kjo vjen ndesh edhe me Ligjin për marrëdhënie pune edhe me Ligjin për marrëdhënie obligative, sepse kjo gjë nuk bëhet me vullnetin e punonjësit. Kjo është arrirë ose me detyrim, ose me mashtrim, ose me shtirje.
Në raste të tilla, thotë Milenkova, pas pushimit nga puna, punonjësit vendosin të ngrenë padi dhe të kërkojnë drejtësinë në gjyq. Sipas Dimitar Apasiev nga Fakulteti juridik në Shtip dhe aktivist i lëvizjes sociale “Lenka”, të drejtat e punëtorëve nga viti në vit janë gjithnjë e më shumë zvogëlohen.
„Sa për krahasim, nëse ju kanë shpallur për tepricë teknologjike krahasuar me të njëjtën gjë para 15 viteve, sot ju do keni 80% më pak. Kështu që, e drejta e punës, nëse nuk has në kritika nga profesorët e drejtësisë, e sidomos nga ekspertët e kësaj fushe, e pastaj nga sindikata dhe nga sektori civil, këto ndryshime ligjore i kalon me lehtësi dhe ato praktikisht gjithnjë janë në dëm të punëtorëve“.
Të drejtat nuk jepen, por merren, thonë bashkëbiseduesit e Diverziti media. Megjithatë, ato caktohen edhe që të respektohen. Në të kundërtën, raporti mes punëdhënësit dhe punonjësve do “mbështetet” në një komunikim të dobët, te i cili në fund do duhet të ndërhyjnë gjykatësit.
Të drejtat e punëtorëve, lodra më e kushtueshme
Erdhën, panë, shkurtuan
Marrëdhëniet në punë rregullohen me gjithsej 30 ligje, dy marrëveshje kolektive dhe mbi 10 000 akte nënligjore. Kështu, kjo paraqet një nga fushat më të rregulluara. Por, edhe një fushë e cila ka pësuar më shumë ndryshime. Kush ka ardhur në pushtet, ka bërë ndryshim të të drejtave të punëtorëve.
Në kohën kur në pushtet ishte LSDM-ja u hoq afati kohor para pushimit nga puna. Edhe për nga kohëzgjatja edhe për nga madhësia. U zvogëlua dëmshpërblimi financiar nga Agjencia e punësimeve. Hyri në fuqi vendimi sipas të cilit, nëse pushohet nga puna, Agjencia e punësimeve nuk e evidenton punonjësin si person të papunë. U hoq e drejta e udhëheqjes përmes këshillit të punëtorëve. Filloi të zbatohet mundësia për ndalimin e veprimit sindikal dhe janë miratuar pengesa ligjore me të cilat është pothuajse e pamundur të organizohen greva (që sot paraqet pengesë për realizimin e grevës së mjekëve).
VMRO-DPMNE gjatë kohës së qeverisjes së Ljubço Georgievski bëri ndryshime të pensioneve, ndërsa në kohën e kryeministrit aktual Nikolla Gruevski u bënë ndryshime të të drejtave të të papunëve. U hoq mundësia e pensionimit në bazë të stazhit të punës. U zvogëlua numri i ditëve të pushimit vjetor, nga 26 në 20 ditë. U ndryshua afati i marrëveshjeve për punë për kohë të caktuar, e tani në vend të një marrëveshjeje pune për afat të pacaktuar, punonjësit deri në pesë vjet mund të nënshkruajnë marrëveshje pune për afat të caktuar çdo 30 ditë. U hoq e drejta e përparësisë gjatë punësimit për tepricat teknologjike dhe praktikisht, përmes kritereve të përfaqësimit u vu kontroll mbi sindikatat.