Retorika etnike për vota për tej etnike

Në prag të raundit të dytë zgjedhjeve lokale në kampin shqiptar gara më në fokus duket se është ajo për Tetovën. Përkundër retorikave të partive politike që bënë thirrje për vota të pastra etnike në qytete të tjera, ajo në Tetovë është shumë e ashpër. 
Por si duket konkurrenca politike kur s’ka “rrezik” etnik?

Nazim Rashidi analizon

Raundi i parë i zgjedhjeve lokale si asnjëherë më parë i shndërroi atë në zgjedhje mes etnive, sidomos në qytetet shumë etnike, se sa një garë që do të duhej të ishte e përqendruar tek ofertat se si do të përmirësohej përditshmëria e njerëzve.
Por tani kur rezultati për Kërçovën, që ishte në fokus, është i qartë, ndonëse ka komuna që do të duhen vota “etnik”, dhe gara sërish prezantohet mes “nesh” dhe “atyre”, partitë kanë rritur dukshëm tensionin ndaj rivalit brenda të njëjtës etni.

Kjo është video dhe deklaratat më e komentuar mes elektoratit shqiptar, kudo që është ai, me anë të së cilës kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës gjatë fushatës së tij me përfaqësues të komunitetit maqedonas, i paralajmëron ata se UÇK mund të drejtojë Tetovën, nëse votojnë për rivalen Teuta Arifi nga radhët e BDI-së.

Por më shumë se sa për debatin që shkaktoi, deklarata në fjalë ngriti dilemat se sa reale janë thirrjet për votim “etnik”, kur politikanët duket se janë gati të bëjnë çfarë do kompromisesh për të arritur qëllimin.

Qëllimi më i rëndësishëm se principet

Lulzim Haziri gazetar dhe analist dhe Biljana Vankovska profesoreshë universitare pajtohen se për subjektet politike qëllimi është i më i rëndësishëm se sa principi:

“Qëndrimi i tillë jo parimor i partive politike, sidomos në rrethin e dytë zgjedhor kur duhet të bëjnë koalicion siç thotë populli, qoftë edhe me dreqin, s’ka se si mos të reagojë negativisht tek votuesit duke i larguar dhe duke e zvogëluar përqindjen e qytetarëve që dalin në votime”, thotë Lulzim Haziri.

“Përshtypja e përgjithshme për këto zgjedhje është se ngjajnë në një seri sapuni ku nuk merret vesh kush me kë është dhe pse. Por analiza më e thellë tregon një konstantë sistemore, se partitë tona nuk kanë bazë sa i përket ideologjisë”, thotë profesoresha Vankovska.

Vëzhgues të tjerë thonë se do të ishte shumë normale, madje do të duhej të ishte dhe praktikë që kandidatët për kryetar komune të komunikonin me të gjithë qytetarët, pa varësisht përkatësisë etnike, dhe të sqarojnë ofertën e tyre.
Por pse nuk ndodh kjo?

Lulzim Haziri thotë sepse partitë kanë parasysh pushtetin dhe jo interesin e qytetarëve:

“Partitë politike nuk u japin aq shumë rëndësi principeve ose programit partiak, sepse që në raundin e dytë duhet të gëlltisin fjalët që kanë thënë dhe e gjitha të kthehet në një Pazar politik. Nuk luftohet për qëndrime dhe parime në disa raste por luftohet për pushtet, në këtë rast për të ardhur në postin e kryetarit të komunës”, thotë Haziri.

Gara

Në raundin e dytë për zgjedhje lokale të dielën, do të votohet në 29 komuna dhe qytetin e Shkupit, prej atyre garë e ashtuquajtur “etnike”, ku në krye të komunave do të vijë ose shqiptar ose maqedonas do të ketë në Strugë, Bërvenicë dhe Dollnen.

BDI ka bërë thirrje që elektorati i saj në Strugë të mbështesë Ziadin Selën e PDSH-së dhe thonë se presin mbështetje nga partitë e tjera shqiptare në komunat Bërvenicë dhe Dollnen ku kandidatët e tyre janë në garë me rivalë maqedonas.

Subjektet maqedonase u bënë një në Strugë duke mbështetur kandidatin e VMRO DPMNE-së Vladimir Koçovski, por duke kërkuar vota etnike për komunat e tjera.

Por si shihen tashmë thirrjet për të kërkuar votat e zgjedhësve të etnisë tjetër, jo vetëm në garat ku janë përfshirë shqiptarët, por edhe në ato vende si Shkupi për shembull ku votat e shqiptarëve i kërkojnë kandidatët maqedonasit?

Profesorja Vankovska thotë se fokusi i partive në fillim është tek votat etnike dhe pastaj tek të tjerët, diçka që sipas saj nuk do duhej të pranohej:

“Në fillim ju bindin se armiku është njëri, pas një jave armiku është tjetri. Po bëhet një fushatë negative. Mesa duket ky është gjykimi i partive se si duhet të prezantohen, por kjo flet për kulturën tonë të ulët zgjedhore si elektorat, sepse vështirë mund të dënojmë dikë”, thotë Vankovska.

Vlerësimi i bashkëbiseduesve tanë është se sa më shumë retorika e politikanëve kryesor të jetë e drejtuar nga një etni, siç ishte rasti me Kërçovën, aq më shumë reflektimi edhe në zgjedhje lokale do të jetë i përqendruar në garat etnike. Por vetë fakti se në raundin e dytë shumë kandidatë kërkojnë votat përtej votuesve etnik, tregon se ata që janë në garë do të duhet që një gjë të tillë ta kenë parasysh që në fillim, dhe kjo gjë do të thotë se ofertat e tyre do të duhej të ishin të përqendruara tek përparimi dhe zhvillimi që ata ofrojnë.