Javën që vjen në Shkup do të organizohet një debat për rolin e sektorit qytetar që nga pavarësia e Maqedonisë, 20 vjet më parë.
Por sa në fakt organizatat qytetare kanë ndikuar në jetët e njerëzve dhe a ka ndryshuar diçka veprimi i tyre?
Qindra vetë dolën të mërkurën në protesta në Veles, një nga më të mëdhatë me karakter ekologjik në Maqedoni. Ata ankohen se në këtë qytet ka vdekshmëri të madhe, se ka ndotje të madhe dhe siç thanë duan fëmijë të shëndetshëm. Protestën e organizoi një koalicion organizatash të cilat janë kundër rifillimit me punë të një fabrike për shkrirjen e metaleve që vlerësohet se ndot shumë qytetin, në të cilin në të kaluarën ka pasur edhe pasoja fatale.
Por a ka pasur në Maqedoni raste të tilla të veprimit qytetar me përmasa kaq të mëdha?
Zoran Stojkovski Drejtues i Qendrës për Zhvillim Institucional, që është një organizatë që jep grante për iniciativa qytetare, thotë se mund të thuhet se organizatat po bëjnë ndryshim për qytetarët.
“Më duhet të pranoj se në 7-8 vitet e fundit ka më së paku nga një organizatë qytetare që lobon dhe përkufizon politika të caktuara. Nxisin si sjelljen ashtu dhe ndryshimin e ligjeve. Gjithashtu ka edhe një numër tjetër organizatash që ofrojnë shërbime për qytetarët”, thotë z. Stojkovski.
Nëse pyesni në Regjistrin Qendror për numrin e organizatave në Maqedoni do të merrni përgjigje se ka me qindra, por jo të gjitha kanë aktivitet.
Vëzhguesit thonë se ka edhe prej tyre që kanë për qëllim vetëm përfitimin.
Por Bashkim Iseni politolog i cili jeton në Zvicër thotë se atje shpesh ka iniciativa qytetare që ndërmerren vetëm për një qëllim të caktuar, dhe pas tejkalimit të çështjes ato shuhen. Nëse ato janë të sinqerta, thotë ai, kjo gjë është në rregull:
“Varësisht prej situatave lindin disa iniciativa të cilat janë të kufizuara në kohë dhe ndërlidhen me një çështje precize. Fal mekanizmit të demokracisë, populli e merr përsipër rolin e shoqërisë civile, opozitës”, thotë z. Iseni.
Duhet të ndyshojë mënyra e finasimit
Por në Maqedoni me vite të tëra veprimi qytetar ka qenë i lidhur me çështje politike. Gjatë 20 viteve të pavarësisë, kujtohen një varg protestash që kanë pasur në shenjestër mundësinë për arsim të lartë në gjuhën amtare, ose për barazi, sidomos nga komuniteti shqiptar.
Kjo gjë ka bërë që organizatat të shihen edhe disa herë edhe të përdoren për qëllime politike nga parti të ndryshme.
Sefer Tahiri profesor universitar, ka shkruar për këtë fenomen:
“Faktikisht gjatë gjithë këtyre viteve sektori civil ose joqeveritar ka qenë i politizuar, ose ka funksionuar nën ombrellën e partive politike, pasi nuk ka mundur të profilizohet si një sektor joqeveritar që do të korrigjojë gabimet e qeverisë”
Megjithatë ata që janë të angazhuar në organizata qytetare insistojnë se puna e tyre ka pasur efekt. Përmenden një sërë iniciativash që kanë bërë ndryshim, ndër të fundit është tërheqja e ligjit të propozuar për të rinj, apo ndërgjegjësimi për akses më të lehtë në rrugë për njerëzit me vështirësi në lëvizje .
Por Zoran Stojkovski i Qendrës për Zhvillim Institucional thotë se ajo që mbase nuk kanë bërë organizata qytetare është përfshirja më e madhe e qytetarëve në këto nisma dhe si rrjedhojë sfida e radhës do të jetë mobilizimi i tyre dhe i mbështetësve të organizatave brenda Maqedonisë
“Organizatat qytetare do të duhet të kërkojnë financime të brendshme. Sektori qytetar do të duhet të përdor mënyrat e organizatave të ngjashme në Evropën perëndimore ose Amerikë të cilat kërkojë donacione nga qytetarët, individët, kompanitë”. thotë Stojkovski.
Njerëzit që protestojnë në Veles, mbase do të jetë një shembull për përkrahje më të madhe të nismave qytetare. Organizatat e huaja që njihen për mbështetje të nismave qytetare tashmë kanë njoftuar që në pak vitet në vijim do të tërhiqen nga Maqedonia. Prandaj ajo që sugjerohet të bëhet në periudhën në vijim është afrim i veprimit tek njerëzit. Organizata që do të mbështeten nga njerëzit dhe do të punojnë për interesat specifike të njerëzve.