Transparencë sudoku

Institucionet janë jotransparente për shpenzimin e mjeteve financiare publike. Këtij, tashmë problemi të njohur për ne, analistët i shtojnë edhe dy probleme të tjerë. Qytetarët nuk interesohen shumë për shpenzimet publike, por edhe gazetarët rrallë herë bëjnë presion  që të dhënat të jenë publike. Nëse transparenca dhe llogaridhënia janë anët tona më të forta u diskutua në debatin e  fundit të Diversity Media.Përgatiti Dushko Arsovski Qeverisë së Maqedonisë i duheshin disa vite për të publikuar se sa është shpenzuar për projektin “Shkupi 2014”. Në pushteti ekzekutiv duhet të jetë model për të tjerët, atëherë është e qartë se përse është kaq e vështirë të arrihet deri te informacionet për atë se si i shpenzon paratë e qytetarëve edhe një ndërmarrje e thjeshtë publike. Gazetarja Snezhana Llupevska jep arsyet për këtë gjendje: „Faji qëndron te të dyja palët, si te mediet ashtu edhe tek institucionet jotransparente, sepse po nuk u bëtë presion dhe nëse askush nuk do informacione, institucionet nuk do kenë arsye për të dhënë llogari”.Llupevska sqaron se si këmbëngulja e gazetarëve për të arritur deri te përgjigjet për shpenzimin e parave të popullit do i motivojë edhe njerëzit e thjeshtë:„Ne si medie duhet ta ngrejmë në nivel më të lartë vetëdijen publike dhe tu tregojmë qytetarëve se janë ata që duhet të kërkojnë llogari. Përveç faktit që bën pjesë në punën tonë, çdo qytetar ka të drejtë të dijë se sa para jep për buxhetin dhe përse shpenzohen atoˮ.     Po, edhe gjatë llogaridhënies ka finesa, sqaron kështu analisti ekonomik Visar Ademi„Qytetari nuk mund të jetë ekspert i ekonomisë dhe të definojë, për shëmbull, se sa kushton projekti „Shkupi 2014“ nëse ju nuk i sqaroni se sa ka kushtuar honorari për artistin, se sa kanë qenë shpenzimet e drejtpërdrejta dhe çdo gjë të shënohet në veçanti që qytetari të mbetet i kënaqur nga informacionet të cilat ia servon Qeveriaˮ.   Dyshimi, sipas tij, rritej edhe për shkak të një mjeti të cilin e shteti po e përdor gjatë investimeve kapitale gjatë viteve të fundit. „Prandaj sot përdoren edhe marrëveshjet anekse. Sepse në kontratën e parë ju keni një shumë tjetër e pastaj me marrëveshjet anekse mbulohet pjesa e cila është më e dyshimtë. Këto lloj marrëveshjesh janë të dyshimta sepse bëhen në katër sy, për shembull Qeveria dhe artisti bëjnë marrëveshje për përmendoretˮ.

Shembull më i mirë është teatri i vjetër i “ri”. Me ndryshimet në marrëveshjen për ndërtim nga gjashtë milion euro që u ndanë në fillim, në fund shuma arriti deri në 39 milion euro. Për të vërtetuar dyshimet pushteti i ri në Komunën Qendër angazhoi një ekip për revizion i cili kontrolloi me kujdes të madh projektin kontroverz në Shkup. Një nga anëtarët e këtij ekipi është edhe ish anëtari i Komisionit për antikorrupcion Dragan Malinovski„Thelbi është se ne në një fazë të caktuar të procedurës hasim në mekanizma, sisteme të përcaktuara zyrtarisht për zbatimin e procedurave për realizimin e prokurimeve publike. Megjithatë, kur futeni pak më thellë do e vini re se kjo gjë bëhet vetëm për të krijuar përshtypjen se janë respektuar proceduratˮ.Llupevska thotë se raporti i revizorëve do të ketë bazë për krahasim. „Pas kaq vitesh Qeveria mbajti një konferencë për shtyp dhe dha të dhëna në lidhje me shpenzimet e bëra, gjë që unë do e kisha vlerësuar si pozitive, sepse tani po bëhet revizion në komunën Qendër dhe revizorët tani do dinë të bëjnë një krahasim të saktë se çfarë shifrash kanë marrë nga Qeveria, e çfarë shifrash do zbulojnë, dhe rezultatet t’i bëjnë publike për qytetarëtˮ.  Të humbur në mentalitet Rezultatet përfundimtare të revizionit do bëhen publike së shpejti. Në përgjthësi punët rreth transparencës të shpënzimeve publike megjithatë duket se po lëvizin nga vendi. Fondacioni Fokus ka zhvilluar një zgjidhje softuerike për kyçjen e qytetarëve në punën, llogaridhënien dhe trensparencën e katër njësive të vetëqeverisjes lokale – Veles, Llozovë, Çashkë dhe Gradsko. Drejtori ekzekutiv Vesna Shkortova përcjell përvojën e saj: Tashmë kemi një shembull pozitiv në komunën e Velesit. Në faqen e tyre në Fejsbuk mund të shihen aktivitete konkrete të realizuara bashkë me shumën e parave të shpenzuara si dhe programi buxhetor nga i cili janë përdorur”.Por, kjo nuk ka qenë e lehtë. Ajo thotë se në fillim institucionet kanë refuzuar t’ju japin  informacione për buxhetin lokal me arsyetimin se qytetarët kanë informacion të mjaftueshëm për punën e komunës.„Shembulli i dytë ndodhi pas një periudhe më të gjatë bashkëpunimi. Na akuzuan se duam të dimë pak si tepër, se përse kërkojmë kaq shumë informacion, përse duam të dimë kaq shumë, se përse na intereson buxheti, a jemi spiunë” thotë Shkortova dhe përfundon se kjo është një rrugë e gjatë që duhet ta kalojnë të gjithë që të mësojnë se ç’është transparenca. 

 Kohët ndryshojnë, por historia për atë se ku janë paratë në Maqedoni është një temë e përhershme. Kabineti i Gruevskit që është në pushtet  që nga viti 2006 bëri ndryshime qenësore. Nëse gjatë viteve 90 mentaliteti jonë ishin buxhete modeste, sa për të mbijetuar për shkak të krizave nga të gjitha anët, tani ka kaluar në një mentalitet të shpenzimit, vlerëson Ademi. Kjo do të vazhdojë deri sa të mund të financohen projektet. Rebalansi i buxhetit të këtij viti ka ngecur në amandamente, dhe për buxhetin shtetëror për vitin e ardhshëm do votohet së shpejti në Kuvend.